Dokumenti i pasaktë i kushtoi një qytetari me humbje pune në Norvegji

Një dokument zyrtar i pasaktë nga Inspektorati Arsimor në Kosovë, Gentrit Thaqit, i ka kushtuar me refuzim vize, humbje të një vendi të sigurt pune në Norvegji dhe ndalim hyrjeje në zonën Shengen për pesë vjet.

Pas kronikës të realizuar nga RTK, ka reaguar  Ambasada norvegjeze në Ankara, duke kërkuar sqarime shtesë nga Inspektorati Arsimor lidhur me dokumentet shkollore që për Thaqin u shpallën të pavlefshme, mbi bazën e një vlerësimi të gabuar.

Këtë e ka konfirmuar për RTK-në edhe udhëheqësi i Inspektoratit të Arsimit në Pejë, Ilir Shatri.

Në storien e transmetuar nga RTK-ja, u bë e ditur se një përgjigje e gabuar zyrtare e Inspektoratit Arsimor iu dërgua autoriteteve norvegjeze, ku thuhej se dokumentet shkollore të Thaqit nuk ishin valide.

Dy vite më vonë, i njëjti institucion e anuloi atë konstatim, duke pranuar se vendimi ishte bazuar në vlerësim të gabuar faktik. Për këtë, pala e dëmtuar ka paralajmëruar padi ndaj institucioneve përgjegjëse.


Go to TOP