Aston Villa synon trofeun e parë në Evropë pas tridhjetë vitesh

Aston Villa do të kërkojë t’i japë fund pritjes tridhjetëvjeçare për një trofe, kur të përballet me Freiburg në finalen e Europa League që zhvillohet të mërkurën në Stamboll.

Skuadra angleze e drejtuar nga Unai Emery po synon finalen e parë të madhe evropiane pas dyzet e katër vitesh, duke ëndërruar ta përsërisë suksesin historik të vitit 1982, kur e kishte mposhtur Bayern Munich dhe e kishte fituar Kupën Evropiane.

Sulmuesi Ollie Watkins ka thënë se po frymëzohet nga legjendat e klubit, veçanërisht nga Peter Withe, autor i golit të fitores në finalen e vitit 1982.

“Nuk e kam parë ende golin e Withe kundër Bayern, por do ta shoh këto ditë para finales për frymëzim. Ai është një legjendë e klubit dhe është fantastike ta kemi pranë skuadrës”, ka deklaruar Watkins.

Pas suksesit historik të viteve të tetëdhjeta, Aston Villa ka kaluar periudha të vështira, duke rënë dy herë nga Premier League dhe duke humbur katër finale vendore që nga triumfi në Kupën e Ligës në vitin 1996.

Megjithatë, ardhja e trajnerit Unai Emery ka ndryshuar gjithçka. Që nga marrja e drejtimit të skuadrës në vitin 2022, kur Villa ishte pranë zonës së rënies, trajneri spanjoll e ka rikthyer ekipin mes më të mirëve në Angli dhe Evropë.

Sezonin e kaluar skuadra arriti çerekfinalen e Champions League, ndërsa këtë sezon ndodhet në vendin e katërt në Premier League dhe tashmë ka siguruar pjesëmarrjen në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Emery, fitues katër herë i Europa League, synon ta fitojë për herë të pestë këtë garë dhe ta shkruajë emrin përgjithmonë në historinë e Aston Villa.

“Po përjetojmë momente shumë të mira. Tifozët duhet ta kuptojnë se klubi po kalon në një nivel të ri”, ka thënë Emery.

Ai ka shtuar se humbja ndaj Olympiacos në gjysmëfinalen e Conference League sezonin e kaluar ishte një moment i rëndësishëm në rritjen e ekipit.

“Kur humbëm ndaj Olympiacos, ishte pjesë e procesit për të arritur aty ku jemi sot. Tani synimi është të vazhdojmë në këtë nivel për një kohë të gjatë”, është shprehur trajneri spanjoll.

Aston Villa konsiderohet favorite në finalen ndaj Freiburg, skuadër që po luan finalen e parë evropiane në histori. Për klubin anglez, triumfi në Stamboll do të ishte trofeu i parë i madh pas tri dekadash dhe një tjetër kapitull historik për një nga klubet tradicionale të futbollit anglez.


Go to TOP