Albana Bunjaku nis rrugëtimin nga mërgata: Koha për një zë më të fuqishëm të diasporës në vendimmarrje
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albana Bunjaku, me numër rendor 107, ka zyrtarizuar nisjen e angazhimit të saj politik nga Dega Jugore në Suedi duke theksuar rolin e rëndësishëm të mërgatës në zhvillimin e Kosovës.
Në një mesazh drejtuar bashkatdhetarëve, ajo u shpreh se këtë rrugëtim po e fillon me përulësi, përgjegjësi dhe besim, pas takimeve të shumta që zhvilloi ditëve të fundit në Kosovo me qytetarë të profileve të ndryshme, përfshirë të rinj, gra dhe profesionistë.
Bunjaku theksoi se, ndonëse vjen nga mërgata, angazhimi i saj për Kosovën ka qenë i vazhdueshëm duke nënvizuar se tashmë është koha që diaspora të ketë një përfaqësim më të fuqishëm në vendimmarrje.
“Dua të jem zëri i rinisë, i grave, i profesionistëve dhe i çdo bashkatdhetari që beson se mund të bëjmë më shumë për vendin tonë,” u shpreh ajo.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim dhe përfshirje duke ftuar qytetarët që të kontribuojnë me ide dhe angazhim për të ardhmen e përbashkët.
Në fund, Bunjaku e cilësoi këtë si fillimin e një rrugëtimi të përbashkët mes Kosovës dhe mërgatës, me synimin për një shtet më të zhvilluar dhe më të fortë. /Kosova.info/
