PSHDK distancohet nga “të vetëshpallurit”: Reagimet nuk përfaqësojnë partinë
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) ka reaguar përmes një komunikate zyrtare duke sqaruar se shkrimet dhe deklaratat e fundit të publikuara nga individë të vetëshpallur nuk përfaqësojnë qëndrimin e saj zyrtar dhe as vullnetin e anëtarësisë.
Në njoftim thuhet se PSHDK është subjekt me struktura legjitime, statut dhe organe vendimmarrëse, ku çdo vendim politik merret nga instancat kompetente dhe jo nga individë që, sipas partisë, veprojnë jashtë strukturave dhe kundër interesave të saj.
Partia i ka cilësuar si “ironike dhe qesharake” veprimet e disa personave që, ndonëse janë vetëquajtur demokristianë ndër vite, tashmë janë rreshtuar në subjekte të tjera politike dhe po mbështesin kandidatë të partive tjera.
PSHDK thekson se reagimet e fundit janë pjesë e një fushate personale të udhëhequr nga Anton Marku, të cilin e përshkruan si të vetëshpallur në një rol drejtues në Vjenë duke e akuzuar për përdorim të individëve për interesa personale dhe mbështetje të kandidatëve në lista të tjera politike.
Gjithashtu, partia ka sqaruar se kundërshtimet e Arbër Prenajt nuk përfaqësojnë strukturat e saj në Prishtinë duke shtuar se dega në kryeqytet vazhdon të jetë e organizuar dhe e fuqishme.
Në komunikatë përmendet edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit, ku kryetari i PSHDK-së, Zef Morina, në kuadër të koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, ka marrë mbi 1700 vota vetëm në Prishtinë – një rezultat që sipas partisë dëshmon mbështetjen reale në terren.
Në fund, PSHDK thekson se mbetet e përkushtuar ndaj vlerave demokristiane dhe përfaqësimit të qytetarëve duke i konsideruar sulmet si të nxitura nga interesa personale dhe kalkulime politike.
Komunikata mbyllet me mesazhin: “Mirupafshim më 7 qershor!”. /Kosova.info/
