Hadergjonaj përkujton komandantin e Kosharës, Abaz Thaqi: Amaneti i tij mbetet udhërrëfyes i lirisë

Komandanti i Betejës së labvdishme të Koshares dhe deputeti i LDK-së, Fadil Hadergjonaj, ka përkujtuar 16 majin e vitit 1999 në Rrasë të Koshares, ditën kur u nda për herë të fundit nga komandanti Abaz Thaqi.

Në kujtimin e tij, Hadergjonaj thekson se momentet e luftës mbeten të gjalla edhe pas më shumë se dy dekadash duke rikthyer në vëmendje sakrificën e komandantit Thaqi, i cili, i plagosur rëndë në vijën e frontit, nuk shqetësohej për gjendjen e tij personale, por për ushtarët që udhëhiqte.

Sipas këtij rrëfimi përkujtimor, një nga amanetet e fundit të Thaqit ishte “Amanet ushtarët e mi”, mesazh që, siç thuhet, u shndërrua në udhërrëfyes për bashkëluftëtarët e tij në vazhdimin e rezistencës deri në çlirim.

Hadergjonaj vlerëson se luftëtarët e Koshares duke vazhduar misionin e tyre, nderuan jo vetëm betejën, por edhe figurën e komandantit që i udhëhoqi deri në momentet e fundit.

“Në kujtesën kolektive, sakrifica e dëshmorëve mbetet themeli i lirisë dhe ndërgjegjja e shtetit,” theksohet në përkujtim.

Në fund, ai rithekson mesazhin se koha kalon, por vlera e sakrificës mbetet e përhershme duke përmbyllur me nderime për heroin Abaz Thaqi dhe të gjithë dëshmorët e kombit. /Kosova.info/


Go to TOP