A po i dobëson partitë politike frika nga hijet e mëdha brenda tyre?
Shkruan: Blerim Canaj
Në politikën tonë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm një fenomen shqetësues ku partitë politike kanë filluar të frikësohen nga figurat e veta më emblematike. Kur një parti fillon të sulmojë njerëzit që kanë ndërtuar identitetin e saj politik, që kanë mbajtur barrën e kohëve të vështira dhe që kanë krijuar besimin te qytetarët, atëherë shihet qartazi gjendja në të cilën ndodhet vet partia.
Figurat e mëdha nuk sulmohen rastësisht e nuk është e rastësishme as përpjekja për denigrimin e tyre. Ato sulmohen sepse kanë peshë, autoritet, histori dhe mbështetje reale dhe në vend që të shihen si kapital politik dhe forcë e partisë, ato shpesh fillojnë të përceptohen si rrezik apo konkurrencë e brendshme. Kjo ndodh kur kultura e meritës zëvendësohet me kulturën e kontrollit, kur frika nga hijet e mëdha bëhet më e fortë se respekti për kontributin dhe kur energjia e partisë nuk shpenzohet më për përballje me kundërshtarët politikë, por për dobësimin e figurave të forta brenda shtëpisë së vet politike.
Në shumë raste, këto sulme nuk lidhen me ide apo vizion politik, por me luftën për pushtet të brendshëm, me klane dhe interesa të ngushta që kërkojnë kontroll të plotë mbi partinë. Udhëheqjet e reja shpesh tentojnë të rishkruajnë historinë, duke relativizuar ose sulmuar pikërisht ata që e ndërtuan atë histori, vetëm për ta paraqitur veten si fillim të ri.
Kjo u pa qartë edhe në mënyrën se si në PDK u trajtua çështja e Fatmir Limajt. Refuzimi për ta pranuar nuk u përceptua si debat politik apo programor, por si frikë nga pesha që ai vazhdon të ketë në elektorat dhe në historinë politike të një pjese të madhe të (ish)elektoratit të partisë. Madje, pas publikimit të listave në opinionin publik u krijua përshtypja se edhe renditja e kandidatëve në lista nuk u bë mbi bazën e kontributit, por sikur ishte ndërtuar sipas “meritës” në betejën kundër ofrimit të Limajt dhe dukej që sa më i zëshëm të ketë qenë kundërshtimi për Limajn, aq më lart ishte pozicionimi në listë, sa më pro ofrimit të Limajt me PDK aq më poshtë në listë!
Por kjo logjikë e përjashtimit dhe e frikës nuk ndalet vetëm te një emër sepse kur sulmohen dhe radhiten sa më poshtë në listë figura si Nait Hasani, Xhavit Haliti apo Enver Hoxhaj, figura që për shumë njerëz përfaqësojnë vet historinë politike dhe identitetin e PDK-së, kur deputetja më aktive dhe më e zëshme si Ganimete Musliu mbetet nën 10tëshe, atëherë bëhet e qartë se beteja nuk është më për ide, por për kontroll të brendshëm. Këto janë figura që o kanë qenë pjesë e ndërtimit të historisë së Kosovës, o të historisë dhe identitetit të partisë, o të përfaqësimit politik dhe të një epoke të tërë politike në Kosovë. Sulmi ndaj tyre nuk mund të shihet vetëm si kritikë ndaj individëve, por si një distancim i partisë nga vetvetja dhe nga historia e saj.
E njëjta frymë po shihet edhe në LDK, ku figura si Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami shpesh janë objekt sulmesh të vazhdueshme nga brenda. Në vend që debatet të zhvillohen mbi vizionin politik, alternativat programore apo idetë për të ardhmen, energjia kanalizohet në delegjitimimin e figurave që kanë përvojë institucionale, peshë elektorale dhe identitet politik të qartë.
Kur partitë fillojnë të luftojnë figurat e veta më përfaqësuese, ato rrezikojnë të humbasin jo vetëm disa emra, por kujtesën, identitetin dhe besimin e njerëzve që janë lidhur me ato parti pikërisht për shkak të këtyre figurave dhe natyrisht edhe elektoratin! Krejt kjo, ngase partitë e forta nuk ndërtohen mbi frikën nga figurat e mëdha, por mbi aftësinë për t’i mbajtur ato bashkë nën një vizion të përbashkët.
