Kurti prezanton Krenare Çerkinin si kandidate për deputete nga VV
Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizja VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka prezantuar Krenare Çerkinin si anëtaren më të re që i bashkohet subjektit politik dhe listës për deputete në zgjedhjet për legjislaturën e 11-të.
Kurti tha se Çerkini përfaqëson një profil të ri lidershipi duke veçuar angazhimin e saj në arsim, rini dhe jetën publike.
Sipas tij, ajo ka përfunduar paralelisht dy studime bachelor dhe dy programe masteri me sukses të lartë, ndërsa aktualisht po vazhdon studimet e doktoratës në Bruksel. Ai po ashtu theksoi përvojën e saj si pedagoge universitare dhe pjesëmarrjen në iniciativa ndërkombëtare për arsim dhe të rinj.
“Krenarja vjen nga Ferizaj dhe përfaqëson një kombinim mes shkëlqimit akademik, angazhimit publik dhe përkushtimit qytetar ndaj arsimit dhe rinisë”, ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se është i lumtur që Çerkini i është bashkuar “subjektit fitues” si kandidate për deputete. /Kosova.info/
