KOMF alarmon për rastet me fruth tek fëmijët: Të gjithë të infektuarit ishin të pavaksinuar

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka shprehur shqetësim për paraqitjen e rasteve të fruthit tek fëmijët gjatë javëve të fundit duke bërë thirrje urgjente për rritjen e vaksinimit.

Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore, janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi, ndërsa të gjithë fëmijët e infektuar kanë qenë të pavaksinuar.

KOMF ka ngritur shqetësim edhe për rënien e mbulueshmërisë së vaksinës MMR, e cila mbron kundër fruthit, shytave dhe rubellës, tek grupmosha 12 deri në 24 muaj. Sipas tyre, kjo situatë rrit rrezikun për shpërthime të fruthit dhe sëmundjeve të tjera që mund të parandalohen përmes vaksinimit.

Në reagimin e tyre, KOMF u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që t’i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit duke theksuar se vaksinimi është obligim ligjor dhe lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

“Vaksinat janë mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, ato janë të testuara shkencërisht, të sigurta dhe të miratuara nga institucionet relevante shëndetësore ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

KOMF ka apeluar po ashtu që prindërit të mos bien pre e dezinformatave dhe informacioneve të pasakta që mund të qarkullojnë në hapësirat publike apo online, ndërsa për çdo paqartësi të konsultohen me profesionistët shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Njëkohësisht, organizata ka kërkuar nga institucionet shëndetësore që të intensifikojnë veprimet për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe vaksinimin në komunitet, përfshirë qasjen “derë më derë”.

KOMF ka theksuar nevojën për reagim të koordinuar institucional dhe për forcimin e fushatave vetëdijesuese, me qëllim rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit dhe mbrojtjen efektive të shëndetit të fëmijëve. /Kosova.info/


Go to TOP