Haziri thërret për mobilizim qytetar: LDK hap listën për të gjithë rugovistët
Nënkryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për mobilizim të gjerë qytetar duke theksuar nevojën për të forcuar demokracinë dhe funksionimin e shtetit.
Përmes një mesazhi publik, Haziri ka njoftuar se LDK-ja ka hapur listën zgjedhore për të gjithë rugovistët dhe besimtarët e Republikës duke ftuar qytetarët brenda dhe jashtë Kosovës që të bëhen pjesë e këtij angazhimi politik.
Ai ka theksuar se liria, pavarësia dhe demokracia janë vlera që u takojnë të gjithëve, ndërsa ka shtuar se në këtë fazë është i domosdoshëm një mobilizim qytetar për të rritur cilësinë e demokracisë në vend.
Sipas Hazirit, LDK mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të familjes, Republikës dhe besimit duke e cilësuar subjektin si “besë dhe shpresë për Kosovën”.
Në fund, ai ka ritheksuar moton e tij politike se “Republika është mbi të gjithë” duke e vendosur atë si prioritet kryesor në angazhimin e tij dhe të partisë. /Kosova.info/
