Gërvalla: Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të jetësohet, s’ka alternativë
Donika Gërvalla ka zhvilluar një takim lamtumirës me Shefin e Misionit të EULEX në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ku u diskutua për rolin dhe angazhimin e këtij misioni në forcimin e sundimit të ligjit në vend.
Gërvalla theksoi se reformat në drejtësi janë të domosdoshme dhe të pakthyeshme duke u fokusuar në rritjen e llogaridhënies, forcimin e integritetit dhe përmirësimin e efikasitetit në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë.
Në këtë kuadër, ajo nënvizoi rëndësinë e funksionalizimit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas saj, themelimi i kësaj Byroje është i pashmangshëm.
“Byroja do të bëhet. Byroja do të jetësohet. Nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi Gërvalla.
Gjatë takimit u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Gërvalla theksoi se konsolidimi institucional dhe rritja e profesionalizmit mbeten thelbësore për ndërtimin e një sistemi drejtësie funksional, të besueshëm dhe të paanshëm, që garanton zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët. /Kosova.info/
