Merret vendimi nëse Kosova prezantohet me futboll në Lojërat Mesdhetare 2026

Ishte raportuar së fundi se Kosova mund të mbetej jashtë garave të futbollit në Lojërat Mesdhetare 2026, duke ngritur dyshime për një mosmarrëveshje mes Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës rreth përfaqësimit dhe organizimit të ekipit.

Megjithatë, kjo situatë është sqaruar tashmë përfundimisht, duke i dhënë fund pasigurisë. Kosova do të marrë pjesë në turneun e futbollit në Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Taranto të Italisë, me përfaqësim në kategorinë e vajzave U18.

Burime brenda FFK-së i kanë thënë KosovaPressit se ekipi i vajzave të kësaj grupmoshe do të jetë pjesë e garës, duke shënuar një tjetër prezencë të rëndësishme ndërkombëtare për futbollin kosovar.

Për KosovaPress-in, pjesëmarrja është konfirmuar edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili ka bërë të ditur se Kosova do të jetë pjesë e programit futbollistik të këtij edicioni.

Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026 në Itali, duke mbledhur mbi 20 shtete pjesëmarrëse nga rajoni mesdhetar.

Go to TOP