Spektër i gjerë dhe i nduarnduart të motiveve dhe imazheve

Shkruan: Prof. dr. Hivzi MUHARREMI

Me rastin e ekspozitës studentore I të Departamentit të Art Dizajn në Albanian University. Ekspozitë kjo e cila është hapur para do ditësh me punime të studentëve  nga lëndët: Vizatim, Kaliografi, Ilustrim, Art 2D, Tekstil Dizajn, ËEB Dizajn, Arti Grafik i Botimeve, Antropologji Dizajn.

Pas një kohe të gjatë të mosfunksionimit të Galerisë së Arteve në ambientet e objektit universitar të Albanian University, rikthimi i saj në funksion përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për institucionin, por edhe për jetën artistike dhe kulturore në përgjithësi. Duke i falënderuar punës së palodhur dhe vizionit mjaft ambicioz të Prof. Dr. Arjan Zurbos, përgjegjësit të Departamentit të Art Dizajnit, në këtë semestër të vitit akademik 2025/2026 janë hapur tashmë tre ekspozita, të cilat shënojnë një fillim të ri dhe shumë premtues.

Ekspozitat e organizuara deri më tani përfshijnë punime të profesorëve nga stafi akademik, duke krijuar kështu një bazë të fortë profesionale dhe një standard cilësor për aktivitetet që do të pasojnë. Sipas programit të parashikuar, deri në fund të vitit akademik do të kemi mundësinë të ndeshemi me një sërë ekspozitash nga fusha të ndryshme të arteve pamore, duke përfshirë pikturën, grafikën, dizajnin, fotografinë dhe instalacionin. Kjo nismë paraqitet si një platformë e hapur për prezantimin dhe promovimin e vlerave të mirëfillta artistike, duke i dhënë hapësirë krijimtarisë dhe dialogut estetik.

Ajo çka e karakterizon dhe e thekson më së shumti këtë cikël ekspozitash është shumëllojshmëria e trajtimit të motiveve dhe imazheve, që burojnë nga fusha dhe specifika të ndryshme të drejtimeve artistike. Çdo ekspozitë sjell një qasje unike, duke reflektuar individualitetin krijues të autorëve dhe duke pasuruar përvojën vizuale të vizitorëve. Kjo larmi jo vetëm që e bën më dinamike hapësirën e galerisë, por gjithashtu krijon mundësi për ndërthurje idesh dhe perspektivash bashkëkohore.

Një element tjetër thelbësor që e bën këtë nismë edhe më të rëndësishme është bashkëpunimi i ngushtë midis studentëve dhe pedagogëve, i cili është reflektuar gjatë gjithë vitit akademik. Ky bashkëpunim nuk kufizohet vetëm në aspektin didaktik, por shtrihet edhe në procesin krijues dhe organizativ, duke ndërtuar një komunitet të gjallë artistik brenda universitetit. Studentët kanë mundësinë të mësojnë drejtpërdrejt nga përvoja e pedagogëve, ndërsa këta të fundit përfitojnë nga energjia dhe qasjet e reja të brezit të ri.

Në tërësi, kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rigjallërimit të jetës artistike në ambientet universitare dhe përtej tyre. Ajo jo vetëm që promovon artin si një formë shprehjeje dhe komunikimi, por gjithashtu kontribuon në krijimin e një kulture të qëndrueshme bashkëpunimi dhe inovacioni. Me këtë ritëm dhe përkushtim, Galeria e Arteve e Albanian University pritet të kthehet në një pikë referimi për ekspozitat artistike dhe një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin e talenteve të reja.

Para një numri të madh të studentëve dhe dashamirëve të artit në fjalën e hapjes se ekspozitës Prof. Dr. Arjan Zurbo bëri një prezantim të shkurtër rreth fizionomisë dhe konceptit të ekspozitë studentore 1 nga lëndët e lartcekura..Ku në mes të tjerash në fjalën hyrëse u shprehë: ..“Të nderuar pjesëmarrës në këtë ngjarje të veçantë:

Shikoni sa interesant duket kur hidhni një vështrim të çastit dhe besoj se para jush keni një atmosferë befasuese veprash si një konstelacion yjesh të lëndëve të Departamentit të Art dizajnit, semestri 1 të vitit akademik 2025/ 2026, në Albanian University . Në hapjen e ekspozitës si një binom i trupëzuar është bashkëpunimi i ngushtë, student pedagogë që në paraqitje të punëve të përzgjedhura, kanë dhënë më të mirën nga përkushtimi ndaj veprave të tyre artistike. Larmia e specifikave të punëve është dokument transparent i formimit dhe pasurimit të dijeve artistike profesionale për një përgatitje drejt një stadi tjetër, atë të semestrit të dytë në vazhdim. “Magjia” e majës së lapsit përmes studimit të formave 3D të objekteve të kompozuara në natyra të qeta ka sjellë përmes skrupulozitetit të studentit , nivele tërheqëse deri në teknikën e akuarelit. Kjo tendencë mjaft pozitive shkon e shpaloset në krijimin e natyrave të veçanta të stileve e simbolikave në Kaligrafi. Nga këto dy hallka në ballë të ekspozitës, si në një zinxhir , majtas e djathtas do shikoni volume në 3D mbi stenda fantazi të materializuara sipas programit të sylabuseve me mjaft befasi punë plot dashuri ne “Artin grafik të botimeve” dhe ” Ilustrim”. Zinxhiri i veprave studentore mbyllet në njërin krah të ekspozitës me “Art 2D”, plot nivel artistik. Në vazhdim të zinxhirit të lëndëve keni plot modernitet realizimet në Ëeb Dizajn, në Antropologji Dizajn me krijime interesante. Larmia floreale, gjeometrike, popullore, dhe moderne në Tekstil Dizajn mbyll vargun pjesëmarrës në këtë mozaik të gëzueshëm ngjyrash e gjetjesh artistike. 

“Ekspozita studentore” 1 është porta e hapur për vazhdimin në të ardhmen e kësaj natyre ekspozitash në AUGA , ART DIZAJN.

FALEMINDERIT, të gjithë pjesëmarrësve, që nga drejtuesit deri te vizitorët e tjerë, studentë e pedagogë dhe pjesëtarë të administratës.

PËRGJEGJËSI I DEPARTAMENTIT TË ART DIZAJN DR. ARJAN ZURBO”


Go to TOP