Hoti: Më 7 qershor qytetarët duhet t’i thonë jo autokracisë dhe kapjes së shtetit
Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se më 7 qershor qytetarët e Kosovës duhet t’u drejtohen sërish kutive të votimit duke e cilësuar këtë si një moment vendimtar për mbrojtjen e shtetit dhe rendit demokratik.
Sipas tij, vendi po shkon drejt zgjedhjeve për shkak të, siç u shpreh ai, përpjekjeve të një autokrati për ta uzurpuar shtetin. Hoti theksoi se kjo nuk duhet të lejohet dhe se qytetarët duhet të reagojnë me votë.
“Më 7 qershor duhet të bashkohemi të gjithë në refuzimin qytetar ndaj këtij personi. Duhet të bëhemi bashkë për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Ai shtoi se shteti nuk duhet të nëpërkëmbet dhe as të abuzohet duke bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm qytetar në zgjedhjet e ardhshme. /Kosova.info/
