Inspektime në veri, evidentohen mangësi në vendpunishte të ndërtimit

Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Punës kanë zhvilluar një aksion inspektues në disa lokacione në veri të Mitrovicës, në kuadër të kontrollit të sektorit të ndërtimtarisë. Gjatë vizitave në terren, përveç verifikimit të kushteve të punës dhe zbatimit të masave të sigurisë, ata kanë evidentuar edhe disa mangësi në organizimin e vendpunishteve, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për përmirësim.

Vendtakimi ishte në stacionin policor në veri të Mitrovicës. Nga aty inspektorët marrin urdhra, ndahen detyrat dhe shpërndahen në terren, në kuadër të aktiviteteve të inspektimeve në objektet që janë duke u ndërtuar.

Njëri nga lokacionet ku u zhvillua inspektimi ishte punishtja për ndërtimin e një shkolle në Kodrën e Minatorëve në veri. Fokusi i këtyre inspektimeve mbetet verifikimi i kushteve të punës, respektimi i masave të sigurisë dhe zbatimi i legjislacionit në fuqi nga kompanitë ndërtimore.

Ndonëse në përgjithësi puna që po zhvillohej në këtë objekt ishte në rregull, inspektorët evidentuan disa vërejtje.

“Në përgjithësi organizimi i vendpunishtes duhet të jetë më i mirë, që punëtorët kur të hyjnë brenda të kenë kushte më të rregulluara. Organizimi i vendpunishtes, kabllat e rrymës, papastërtia dhe qasja në objekt janë tri vërejtje që i japim në këtë rast”, u tha gjatë inspektimeve. 

Në përfundim të inspektimit, inspektorët në këtë vendpunishte evidentuan disa mangësi që kërkojnë përmirësim.

Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punës, po vazhdon me aksione inspektuese në sektorët me rrezikshmëri të lartë në të gjithë territorin e Kosovës. 


Go to TOP