Donat Lushaku jep dorëheqje nga posti i drejtorit të Mobilitetit në Prishtinë
Donat Lushaku ka njoftuar se i ka paraqitur kryetarit të Kryeqytetit kërkesën për lirim nga detyra e drejtorit të Drejtorisë së Mobilitetit, me efekt nga 1 maji 2026.
Në një adresim publik, Lushaku tha se pas gati pesë vitesh angazhimi politik dhe profesional në Komunën e Prishtinës, ka vendosur ta përmbyllë këtë kapitull të shërbimit institucional.
Ai kujtoi se gjatë kësaj periudhe ka ushtruar disa funksione, fillimisht si drejtor i Kadastrit, më pas si zëdhënës i Kryeqytetit dhe së fundmi si drejtori i parë i Drejtorisë së Mobilitetit, e themeluar në korrik të vitit 2025.
Lushaku theksoi se në secilën pozitë është udhëhequr nga paanshmëria, korrektësia, ligjshmëria dhe përgjegjshmëria duke shtuar se fokusi i tij kryesor ka qenë përmirësimi i jetës së qytetarëve të Prishtinës.
Ai deklaroi se pozitat publike nuk janë të përhershme dhe duhet të shërbejnë si mjet për arritjen e qëllimeve të mira për qytetarët.
Në fund, Lushaku falënderoi bashkëpunëtorët dhe qytetarët e Prishtinës për mbështetjen e dhënë ndër vite duke lënë të hapur mundësinë që angazhimi i tij për qytetin të vazhdojë në forma të tjera. /Kosova.info/
