Sadiku: Pakot emergjente tregojnë dështimin e qeverisë pas 6 vitesh

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka kritikuar ashpër qeverinë lidhur me të ashtuquajturat “pako emergjente” duke i cilësuar ato si mungesë transparence dhe dëshmi e një qasjeje të gabuar në menaxhimin e financave publike.

Sipas Sadikut, problemi nuk qëndron vetëm te keqpërdorimi i mundshëm i buxhetit të shtetit, por edhe te mungesa e qartësisë për burimin e mjeteve dhe ndikimin që këto masa kanë në linjat buxhetore ekzistuese. Ai ka ngritur shqetësimin se qytetarëve nuk u bëhet e ditur se nga po sigurohen fondet dhe cilat rezultate konkrete priten nga këto ndërhyrje financiare.

Deputeti opozitar thekson se çështja më e madhe është kontradikta mes deklarimeve të vazhdueshme të qeverisë për zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe forcim të shtetit, dhe nevojës për ndërhyrje emergjente sa herë që afrohen zgjedhjet.

“Nëse për gjashtë vite është ndërtuar një realitet pozitiv, atëherë pse lind nevoja për pako emergjente në prag zgjedhjesh?”, shtron pyetjen Sadiku duke lënë të kuptohet se këto masa mund të jenë më shumë të motivuara politikisht sesa ekonomikisht.

Ai përfundon se kjo situatë ngre dyshime serioze mbi qëndrueshmërinë e politikave qeveritare dhe besueshmërinë e narrativës për progresin e vendit. /Kosova.info/

Go to TOP