Bajrami: Kurti po e çon vendin drejt krizave të reja për pushtet
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për thellim të krizës politike dhe orientim të vendit drejt zgjedhjeve të njëpasnjëshme.
Sipas saj, gjatë vitit 2025 janë mbajtur rreth 60 seanca parlamentare me qëllim zgjedhjen e Albulena Haxhiu si kryetare e Kuvendit, ndërsa nuk është trajtuar asnjë çështje konkrete në interes të qytetarëve.
Bajrami thekson se, pasi nuk arritën ta realizojnë këtë qëllim, pushteti vendosi ta çojë vendin në zgjedhje. Ajo shton se tani qëndrimet kanë ndryshuar duke ofruar postin e kryetarit të Kuvendit, por duke këmbëngulur në zgjedhjen e presidentit me çdo kusht.
“Në ndërkohë, çmimet rriten çdo ditë dhe rinia po largohet nga vendi”, deklaroi Bajrami duke theksuar se qeveria aktuale ka shumicë të mjaftueshme dhe kontroll të plotë institucional, por sipas saj, kjo nuk po shfrytëzohet për zgjidhjen e problemeve reale.
Ajo vlerëson se kërkesa për më shumë pushtet po e dëmton stabilitetin e vendit duke paralajmëruar se pasojat e kësaj qasjeje mund të jenë të rënda për shtetin.
“Kosova ka një armik të jashtëm, por jostabiliteti politik është rreziku më i madh i brendshëm”, përfundoi Bajrami. /Kosova.info/
