Shtime, nxënësi dorëzon në polici paratë e gjetura dhe i kthehen pronares

Në stacionin policor në Shtime është shënuar një rast i veçantë ndershmërie nga një nxënës 15-vjeçar, i cili ka dorëzuar në polici një shumë parash të gjetura.

Sipas njoftimit, më 22 prill 2026, nxënësi me inicialet N.SH., derisa po lëvizte në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, ka gjetur 180 euro. Pa hezitim, ai është paraqitur në stacionin policor për t’i dorëzuar paratë.

Pas verifikimeve të kryera nga policia, është identifikuar pronarja e parave, qytetarja me inicialet F.H. nga Shtimja, së cilës shuma prej 180 eurosh i është kthyer në prezencë të zyrtarëve policorë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar nxënësin për gjestin e tij, duke e cilësuar veprimin si shembullor dhe human.

“Policia i uron nxënësit shumë shëndet dhe suksese në procesin mësimor dhe në të ardhmen, duke inkurajuar të gjithë qytetarët që për raste të tilla të bashkëpunojnë me policinë”, thuhet në njoftimin e policisë.


Go to TOP