Kajtazi: Deklarata e Gecit zbulon përçarjen dhe hipokrizinë në politikë
Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetit Fatos Geci në Kuvend duke thënë se ajo nxori në pah disa të vërteta shqetësuese për skenën politike dhe shoqërinë në vend.
Sipas Kajtazit, deklarata e Gecit tregoi, fillimisht, një mungesë elementare të kompetencës duke ironizuar faktin që, megjithëse mban titull shkencor, ai “nuk di të lexojë”. Ai shtoi se Geci artikuloi publikisht atë që, sipas tij, e mendon një pjesë e madhe e Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa të tjerët brenda saj zgjedhin të heshtin.
Më tej, Kajtazi akuzoi pjesën tjetër të spektrit politik për hipokrizi duke theksuar se reagimet publike ndryshojnë varësisht nga personi që bën deklarata të tilla. Ai përmendi si shembull Shkëlzen Gashi duke thënë se nëse një deklaratë e ngjashme do të vinte nga ai, do të pasoheshte me protesta, peticione dhe reagime të shumta.
Në reagimin e tij, gazetari theksoi gjithashtu se shoqëria në Kosovë mbetet e ndarë thellë, ku një pjesë, sipas tij, “mendon si Serbia”, ndërsa pjesa tjetër mbështet lirinë dhe luftën e ish-çlirimtarëve.
Në fund, Kajtazi kritikoi heshtjen e figurave të rëndësishme publike dhe të ish-komandantëve përballë deklaratave të tilla duke i cilësuar këto qëndrime si hipokrite. /Kosova.info/
