Rutte: SHBA nuk largohet nga NATO, ombrella bërthamore garanci e sigurisë në Evropë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka hedhur poshtë shqetësimet se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen nga Aleanca duke theksuar se mbështetja amerikane mbetet shtylla kryesore e sigurisë në Evropë.

Në një intervistë për Die Welt, Rutte u shpreh qartë se nuk e sheh SHBA-në duke u larguar nga NATO. Ai shtoi se nuk ka arsye për të dyshuar as në vazhdimësinë e mbrojtjes bërthamore amerikane ndaj Evropës duke e cilësuar atë si elementin kyç të sigurisë kolektive.

“Ombralla bërthamore amerikane është garantuesi përfundimtar i sigurisë këtu në Evropë”, tha ai.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur komentet e ish-presidentit amerikan Donald Trump kanë ringjallur debatet mbi angazhimin e Uashingtonit në NATO. Trump ka kritikuar aleancën dhe ka sugjeruar se SHBA mund të rishikojë rolin e saj duke e quajtur NATO-n “një tigër prej letre” dhe duke pretenduar se aleatët nuk kanë qenë gjithmonë të besueshëm.

Megjithatë, Rutte theksoi se, pavarësisht kritikave, SHBA mbetet thelbësore për sigurinë evropiane, ndërsa pranoi se disa shqetësime të ngritura nga Trump lidhen me kontributin e disa shteteve anëtare.

“Unë e kuptoj frustrimin e tij”, tha ai duke shtuar se diskutimet me ish-presidentin kanë qenë të drejtpërdrejta, por konstruktive.

Rutte gjithashtu nënvizoi se Evropa dhe Kanadaja po rrisin gradualisht përgjegjësitë e tyre brenda Aleancës duke e parë këtë si një kalim drejt një partneriteti më të balancuar transatlantik dhe jo një largim nga varësia e mëparshme.

Sipas tij, forcimi i industrisë evropiane të mbrojtjes dhe rritja e shpenzimeve ushtarake do ta bëjnë NATO-n më të qëndrueshme dhe më të aftë për t’u përballur me sfidat globale. “Një NATO më e fortë do të thotë një botë më e sigurt,” përfundoi ai.


Go to TOP