Arrestohet në Leposaviq i dyshuari për krime lufte në Skënderaj, 31 civilë viktima dhe të zhdukur

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, më 14 prill 2026 ka arrestuar në fshatin Soqanicë të Leposaviqit një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Sipas autoriteteve, i dyshuari, mashkull, shtetas kosovar i nacionalitetit serb, dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë dhe i angazhuar në Stacionin Policor të Skenderajt, ka qenë pjesë e një operacioni policor-ushtarak në mars të vitit 1999.

Hetimet tregojnë se ai, së bashku me pjesëtarë të tjerë të organizuar si grup, dyshohet se kanë dëbuar me dhunë civilë shqiptarë nga pronat e tyre, si dhe kanë ushtruar dhunë fizike, tortura dhe plagosje. Në këtë operacion dyshohet se janë vrarë 15 civilë shqiptarë, ndërsa 16 të tjerë janë zhdukur në dy lokacione në Skënderaj.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar. /Kosova.info/

Go to TOP