Ermal Sadiku tregon pagën dhe përfitimet e deputetëve: Rreth 2000 euro në muaj, por mungojnë fondet për punë profesionale
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka ndarë disa detaje lidhur me aspektin financiar dhe kushtet e punës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës, pas interesimit të qytetarëve.
Sipas tij, paga bazë bruto e një deputeti llogaritet përmes koeficientit 17.4, i cili shumëzohet me vlerën 110 euro duke rezultuar në rreth 1914 euro. Kjo shumë mund të rritet deri në 15 për qind nëse deputeti është i angazhuar në komisione parlamentare.
Sadiku ka bërë të ditur se çdo deputet ka të drejtë të angazhojë një asistent personal me koeficient 6.8, i cili ndihmon në punë operative, menaxhim të rrjeteve sociale, hulumtime dhe aktivitete në terren. Po ashtu, deputetët përfitojnë mbushje mujore telefonike, në rast se përdorin rrjetin Vala, si dhe shtesa për karburant për ata që udhëtojnë.
Ai ka treguar se Kuvendi u siguron deputetëve edhe pajisje pune, përfshirë laptopë të tipit Lenovo IdeaPad 5, të cilët duhet të kthehen pas përfundimit të mandatit.
Megjithatë, deputeti i LDK-së thekson se problemi kryesor mbetet mungesa e fondeve të dedikuara për angazhimin e ekspertëve të jashtëm, siç ndodh në shumë vende evropiane. Sipas tij, kjo e vështirëson punën profesionale të deputetëve, sidomos kur ata mbulojnë fusha të shumta dhe komplekse si dixhitalizimi, mediat, pushteti lokal, administrata publike dhe zhvillimi rajonal.
“Realisht, një deputet nuk mund të ketë njohuri të thella në çdo fushë ku duhet të japë kontribut”, ka theksuar Sadiku duke shtuar se pavarësisht sfidave, ai e bën këtë punë me shumë përkushtim. /Kosova.info/
