Quni: Agim Ramadani, arkitekti i lirisë dhe frymëzimi i përjetshëm i Kosovës

Njëri nga komandantët e betejës së lavdishme të Koshres dhe deputeti i LDK-së, Anton Quni ka përkujtuar me një mesazh të fuqishëm heroin Agim Ramadani në përvjetorin e rënies së tij duke e cilësuar si “arkitektin e thyerjes së madhe” dhe simbol të përjetshëm të lirisë.

Quni theksoi se Ramadani nuk ishte vetëm një figurë ushtarake, por një personalitet i rrallë që bashkonte disiplinën e luftëtarit me shpirtin e poetit dhe artistit. Sipas tij, Agimi besonte se liria nuk fitohet vetëm me armë, por edhe përmes kulturës dhe identitetit kombëtar.

Në fjalën e tij, ai kujtoi edhe bashkëpunimin e ngushtë të Ramadanit me heroin Sali Çekaj duke e cilësuar këtë binom si një ndër shtyllat kryesore të strategjisë çlirimtare. Quni vuri në pah se planifikimet e tyre të përbashkëta ishin vendimtare për suksesin e operacioneve ushtarake, veçanërisht në Betejën e Koshares, që mbetet një nga betejat më të rëndësishme të luftës në Kosovë.

Ai përkujtoi gjithashtu edhe dëshmorët që ranë në të njëjtën ditë me Ramadanin: Arben Skender Jusufi, Driton Gani Veliu, Harun Nebih Beka, Rrahman Jetullah Tafa dhe Sylejman Adem Shala duke i cilësuar si “yje të përjetshëm të lirisë”.

Sipas Qunit, figura e Agim Ramadanit mbetet një model i komandantit që udhëheq nga vija e parë duke vlerësuar çdo luftëtar si pasurinë më të çmuar të kombit.

Në fund, ai theksoi se trashëgimia e Ramadanit është një thirrje për ndërtimin e një Kosove të drejtë, të bashkuar dhe të zhvilluar, në përputhje me idealet për të cilat ai dhe bashkëluftëtarët e tij dhanë jetën.

“Lavdi e përjetshme Agim Ramadanit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit,” përfundoi Quni. /Kosova.info/


Go to TOP