Thaçi-Meta: Mbylleni Parlamentin nëse jeni vetëm makineri votuese
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adelina Thaçi Meta, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së procedimit të ligjeve në Kuvend duke akuzuar mazhorancën për shmangie të debatit dhe procedurave demokratike.
Nga foltorja e Kuvendit, ajo kritikoi kalimin e shpejtë të projektligjit për organizimin e Lojërave Mesdhetare Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 duke theksuar se ligji u miratua në komision brenda vetëm pak minutash dhe pa dëgjim publik.
Sipas saj, bëhet fjalë për një projekt me vlerë mbi 253 milionë euro nga buxheti i shtetit, për të cilin deputetëve nuk u është dhënë koha e nevojshme për shqyrtim, analizë dhe amendamentim, siç parashihet me rregullore.
Thaçi-Meta ngriti disa shqetësime kryesore, përfshirë mungesën e auditimit ndërkombëtar, anashkalimin e dëgjimit publik dhe dispozitat e ligjit që, sipas saj, lejojnë mbizotërimin e tij mbi ligjet e tjera deri në vitin 2030 duke hapur rrugë për procedura të përshpejtuara dhe tenderë njëburimorë.
Ajo kritikoi edhe përbërjen e bordit drejtues të projektit, ku sipas saj dominojnë përfaqësuesit politikë, ndërsa mungojnë ekspertë ndërkombëtarë dhe profesionistë të fushës.
Në fund, deputetja e LDK-së përdori tone ironike ndaj mazhorancës duke thënë se nëse Kuvendi funksionon vetëm si “makineri votuese”, atëherë është i panevojshëm dhe mund të mbyllet, ndërsa qeveria të udhëheqë me dekrete.
“Demokracia më shumë se numra, është kulturë”, deklaroi ajo. /Kosova.info/
