Osmani: Gratë në Istog nuk heshtin përballë padrejtësisë

Ish presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në Istog, ku është takuar me gra dhe vajza të këtij qyteti duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë.

Osmani ka deklaruar se nga ky takim ka ndjerë përkrahje të sinqertë dhe besim të palëkundur, teksa ka vlerësuar fuqinë dhe vendosmërinë e grave për të mos heshtur përballë padrejtësive.

“Sot, në Istog, mes grave të jashtëzakonshme, ndjeva përkrahjen e sinqertë dhe besimin e tyre të palëkundur. Fjalët e tyre ishin një kujtesë e fuqishme se pse kjo rrugë ia vlen: për përfaqësim të drejtë, për zë të barabartë dhe për një të ardhme më dinjitoze për të gjitha,” ka shkruar ajo.

Ajo theksoi se gratë në Kosovë nuk pranojnë të heshtin dhe se kur vendosin të ecin përpara, e bëjnë këtë me një vendosmëri që, sipas saj, lë gjurmë dhe nuk mund të ndalet.

Presidentja nënvizoi rëndësinë e fuqizimit të grave dhe përfaqësimit të tyre të barabartë në të gjitha nivelet e shoqërisë duke e cilësuar këtë si një shtyllë kyçe për një të ardhme më të drejtë dhe më dinjitoze në vend. /Kosova.info/


Go to TOP