Presidenca riorganizon komunikimin zyrtar: Profilet në rrjete sociale kalojnë nën administrim institucional
Pas përfundimit të mandatit të Presidentes së mëparshme, Presidenca e Kosovës ka ndërmarrë hapa për riorganizimin e komunikimit zyrtar në rrjetet sociale duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë institucionale.
Sipas njoftimit, profilet ekzistuese janë marrë në administrim nga zyra e ish-Presidentes dhe nuk përfaqësojnë më komunikimin zyrtar të institucionit. Në këtë kuadër, Presidenca ka bërë të ditur se komunikimi publik nuk duhet të lidhet me mandate individuale, por të jetë i qëndrueshëm dhe në funksion të qytetarëve.
Për këtë arsye, janë krijuar profile të reja zyrtare që do të administrohen drejtpërdrejt nga institucioni i Presidencës duke shërbyer si burimi i vetëm i informacionit zyrtar.
Ky veprim synon të sigurojë një komunikim të qartë dhe të unifikuar duke garantuar që institucionet publike të ruajnë vazhdimësinë dhe integritetin e tyre, pavarësisht ndryshimeve në udhëheqje.
Nga Presidenca është theksuar se profilet në rrjetet sociale janë pronë e institucionit dhe do të mbeten në përdorim të tij, pavarësisht se kush ushtron funksionin e Presidentit apo Presidentes. /Kosova.info/
