Sadiku: VV nuk duhet të vazhdojë të qeverisë vendin
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka bërë thirrje për uljen e gjuhës së ashpër në diskursin politik duke kërkuar nga qytetarët dhe mbështetësit që të shmangin fyerjet dhe etiketimet ndaj kundërshtarëve politikë.
Sadiku ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të vazhdojë të qeverisë vendin duke përmendur, sipas tij, një sërë vendimmarrjesh të dëmshme gjatë viteve të fundit. Megjithatë, ai ka insistuar se kritika politike nuk duhet të shoqërohet me gjuhë linçuese.
Sipas tij, gjuha që i etiketon kundërshtarët si “tradhtarë”, “hajna” apo “kriminelë”, e lidhur shpesh me diskursin politik të kryeministrit Albin Kurti dhe mbështetësve të tij, nuk duhet të bëhet normë në shoqëri.
“Unë nuk dua të bëhem si ata. Nuk jam si ata,” është shprehur Sadiku duke shtuar se secili është i lirë të shprehet, por duhet të ruhet standardi njerëzor dhe qytetar.
Ai ka apeluar për unitet dhe reflektim duke kujtuar sakrificat e bëra për shtetin e Kosovës dhe duke theksuar se qytetarët nuk janë armiq mes vete.
Në fund, Sadiku ka bërë thirrje që fokusi të zhvendoset tek çështjet konkrete si zhvillimi ekonomik, forcimi i institucioneve dhe krijimi i mundësive për të rinjtë duke nënvizuar se e ardhmja e Kosovës ndërtohet me vizion, punë dhe përgjegjësi, e jo me urrejtje. /Kosova.info/
