VV kërkon nga presidentja Osmani emërimin e anëtarit të tretë në KQZ
Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar kërkesë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për emërimin e anëtarit të tretë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Lajmin e ka bërë të ditur sekretari organizativ i kësaj partie, Alim Rama, përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe letrën drejtuar presidentes.
Sipas tij, kërkesa bazohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mospranimin e kërkesës së presidentes lidhur me vlerësimin e konfliktit të kompetencave kushtetuese.
“Në këtë frymë, kërkojmë që të respektohet parimi themelor i përfaqësimit në KQZ, i cili lidhet drejtpërdrejt me përfaqësimin parlamentar që buron nga vullneti i qytetarëve”, ka shkruar Rama në Facebook në reagim.
Rama ka theksuar se vullneti politik i qytetarëve, i shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duhet të reflektohet edhe në përbërjen e institucioneve si KQZ, duke kërkuar që ky parim të zbatohet në mënyrë të drejtë. /Kosova.info/
