Konfiskohen mallra të kontrabanduara në vlerë 30 mijë euro në Pejë

Policia e Kosovës ka zbuluar dhe konfiskuar mallra të kontrabanduara në vlerë rreth 30 mijë euro gjatë një aksioni në Pejë, ku janë kontrolluar një subjekt afarist dhe një shtëpi banimi.

Policia e Kosovës, përmes njësive të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në zbatim të urdhëresave të lëshuara nga Gjykata Themelore në Pejë, në asistim të inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës dhe të Njësitit Anti-Kontrabandë të Doganave të Kosovës, ka ushtruar kontroll në një subjekt afarist dhe në një shtëpi banimi në Pejë.

Sipas njoftimit, kontrolli është kryer për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Tregtia e ndaluar” dhe “Kontrabandimi i mallrave”.

Gjatë kontrollit në subjektin afarist janë gjetur dhe konfiskuar 684 cigare elektrike, 1400 gramë duhan i grirë, 94 shije për cigare elektrike, 1016 filtra për cigare elektrike, 8 kilogramë shije për shisha, 6675 cigare të llojeve të ndryshme dhe 94 cigare PURO.

Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar 38 mijë e 200 cigare të kontrabanduara të llojeve të ndryshme, 36 mijë e 200 filtra për cigare elektrike dhe 853 filtra për shishë elektrike.

“Sipas vlerësimit preliminar nga zyrtarët e Doganës, mallrat e konfiskuara sillen në vlerën rreth tridhjetëmijë (30.000) euro”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj dy personave të dyshuar do të procedohet kallëzim penal, si dhe do të ndërmerren procedurat tjera ligjore të parapara për raste të tilla. /Kosova.info/

Go to TOP