Krasniqi kujton Fadil Vokrrin para sfidës historike të Kosovës: Një hap larg ëndrrës së madhe

Memli Krasniqi nga PDK, ka ndarë një mesazh emocional në prag të një momenti të rëndësishëm për futbollin kosovar duke rikujtuar rrugëtimin që nga ndeshja e parë miqësore zyrtare e Kosova në vitin 2014.

Përmes një reflektimi personal, Krasniqi kujton dy figurat kyçe që, sipas tij, i dhanë drejtim këtij rrugëtimi historik: një që “ia hapi Kosovës dyert e botës” dhe tjetrin që “i dha shpirt dhe drejtim futbollit tonë” duke nënvizuar rolin e madh të legjendës së ndjerë Fadil Vokrri.

“Sonte, 12 vite më vonë, Kosova luan për një kapitull tjetër historie. Për ëndrrën e madhe amerikane”, ka shkruar ai duke e cilësuar ndeshjen si një hap vendimtar drejt një objektivi që dikur dukej i paarritshëm.

Krasniqi theksoi se përballja zhvillohet në stadiumin që mban emrin e Vokrrit duke e kthyer këtë moment në një homazh të veçantë për ish-kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai e përshkroi këtë si një “mision të shenjtë” për lojtarët që zbresin në fushë.

Në fund të mesazhit të tij, ai shprehu emocionet personale dhe respektin për Vokrrin: “Fadil, kjo është edhe për ty. Për vizionin tënd. Për besimin tënd.”

Mesazhi u përmbyll me thirrjen: “Zoti qoftë me ne! Forca Kosovë!” 🇽🇰 /Kosova.info/

Go to TOP