Gashi: Babai im Xhemajl Gashi u dekorua – drejtësi për një jetë sakrifice dhe dinjiteti
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndarë një mesazh emocional pasi babai i tij, Xhemajl Gashi, u dekorua nga Presidentja e Kosovës për kontributin e tij në çështjen kombëtare.
Në reagimin e tij publik, Gashi theksoi se ky vlerësim përfaqëson më shumë se një medalje – është një akt drejtësie për një jetë të tërë të jetuar me sakrificë, dinjitet dhe përkushtim ndaj atdheut. Ai e përshkroi të atin si një njeri të qetë, por të pathyeshëm, i cili nuk fliste shumë për vuajtjet e së kaluarës, por i dëshmonte çdo ditë përmes parimeve të forta dhe dashurisë për vendin.
Sipas tij, Xhemajl Gashi ishte ndër organizatorët e demonstratave të vitit 1968 në Pejë duke ngritur zërin për flamurin dhe të drejtat e shqiptarëve në një kohë kur kjo kërkonte guxim të jashtëzakonshëm. Që nga mosha 20-vjeçare e deri në çlirimin e Kosovës, ai përballoi burgime, tortura dhe sakrifica të shumta, pa u përkulur asnjëherë.
Gashi vlerësoi se babai i tij i përkiste një gjenerate që nuk pranoi kompromis me padrejtësinë dhe që kontribuoi drejtpërdrejt në lirinë e Kosovës. Ai shtoi se edhe gjatë luftës dhe deri në fund të jetës, Xhemajl Gashi mbeti i palëkundur në vizionin për një Kosovë të lirë, të fortë dhe demokratike.
Në fund, ai theksoi se ky dekorim është një mesazh për të gjithë: se liria kërkon përgjegjësi dhe se idealet për të cilat u sakrifikua duhet të mbeten themel i shtetit. /Kosova.info/
