Dimensioni i luftës në vargje

Shkruan: Izet ABDYLI

Ismail Syla, “Ëndërr në zarf”, Botues “Artini”, Prishtinë, 2025

Parantezë

Me Ismailin jemi shokë gjenerate. Kam pasur fat t’i lexoj poezitë e tij qysh si gjimnazist, në orë letrare, në revistën e shkollës, pastaj në gazetat legale e ilegale. Më ka tërhequr stili i tij i veçantë dhe mesazhet që përçonin poezitë e tij. Burgosja e tij sikur na privoi nga e drejta e leximit të poezive të tij (mbase ai krijonte edhe prapa grilave). Sidoqoftë, paslufta, veç lirisë fizike, solli edhe lirinë shpirtërore dhe Ismaili ndezi vullkanin artistik të ndryrë ndër vite, duke na sjellë vlera të qëndrueshme estetike e letrare.

Dimensioni i luftës në vargjet e Ismailit

Lufta e fundit në Kosovë, me tërë përmasën e saj tragjike, është trajtuar në shumë libra publicistikë, historikë, por edhe letrarë, qoftë në prozë apo poezi. I tillë është edhe libri më i ri i Ismail Sylës, “Ëndërr në zarf”, me botues “Artini”, Prishtinë, 2025. Ndonëse i strukturuar në katër cikle, e tërë materia e librit ngjizet tematikisht me një emërues të përbashkët: luftën dhe pasojat e saj. Poeti dimensionin e luftës e shpalos në vargje, të shpërndara në copëra kujtimesh. Në fakt, ky libër është një dramë shumaktëshe. Aktet e dhimbjes, vuajtjes, dhunës shfaqen e rishfaqen në çdo poezi.

Poetit i mjafton një bunar, thasë rrobash, një rrip, një letër, një shall, një kasolle, një lodër fëmije për të stisur pastaj në vargje katrahurën njerëzore nga soji i atyre të sëmurëve nga etja për të marrë jetë. Ndonëse kriminelët gjithmonë orvaten të fshehin gjurmët e krimit, është mendimi krijues që, në nëndijen e poetit, i ruan në formë kujtimesh për t’i rishfaqur pastaj si perla dhimbjeje, vuajtjeje, por edhe akuze. Objekti i bunarit i mjafton poetit për të shpërfaqur tërë dramën njerëzore të 53 viktimave të masakrës së Poklekut të Vjetër të Drenasit. Edhe “Kova”, me simbolikën e saj, na shpërfaq “Historinë në katër akte”, siç e ka emërtuar vetë poeti, ku përmes katër poezive, para, gjatë dhe duke përfunduar pas lufte në muze si relikt, që me heshtjen e saj ruan kujtimet e trishta të luftës.

Në ciklin e tretë, “Nën thundrën e krimit”, poeti ka zgjedhur monologun si model në kërkim të /gjurmëve në prag/zarfit pa adresë/dhomën që nuk lëshon frymë/.

Te nëncikli “Plagë lufte”, si një prelud, na shfaqet qëndresa e nënës pas humbjes së djalit, burrit, vëllait etj. Dhe kjo dramë vazhdon edhe /kur nuk thirret emri/furra që nuk ndizet më/hija e shtëpisë/dhoma pa dritare/ në përpjekje të saj për të ruajtur gjurmët, të mos degdisen drejt harrimit.

Në nënciklin “Të vetmuarit” ndryhen kujtimet në heshtje të burrit, gruas, fëmijës, gjyshit, binjakut, motrës, shokut, vëllait, që me heshtje flasin. Te nëncikli “Të braktisurat”, përmes gjësendeve si topi, lugët, tava, ora, dritarja, kamishi, fletorja me germa, shtrati, poeti ka arritur të zbërthejë fatin e individëve brenda kaosit me emrin luftë.

Edhe nëncikli i pestë, “Pa frymë njeriu”, dhe nëncikli “Artefakte dhimbjesh” ruajnë të njëjtin nivel të nëncikleve paraprake, ku sërish përmes gjësendeve të ndryshme poeti ndërton situata e portretizon fate njerëzish.

Në ciklin e tretë, “Duart që bien erë dhe”, me poezi përkushtimi për kryefamiljarin Imer Deliu dhe të vrarët në masakrën e Deliajve të Abrisë së Epërme, si një epilog përmbyllet dimensioni i sagës së luftës i shpërfaqur brenda kopertinave të këtij libri.

Përfundim

Në përmbyllje të kësaj mbrese leximi, duke qenë bashkëkohanik dhe lexues i krijimtarisë letrare të Ismail Sylës, i jap të drejtë vetes të nxjerr konstatimin se kjo është kryevepra e tij letrare. Megjithatë, kjo profeci e imja uroj të mos dalë e saktë, meqë poeti është në kulmin e veprimtarisë së tij krijuese dhe mund të na befasojë edhe me ndonjë vepër tjetër që tejkalon përmasat e kësaj përmbledhjeje poetike.


Go to TOP