‘Turqia si shtëpi, por Kosova është ëndrra’, flet Hadërgjonajt për finalen

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Florent Hadërgjonaj, ka folur për mediat turke në prag të finales së madhe të “play-off”-it ndaj Kombëtarja e Turqisë, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj përballjeje për “Dardanët”.

Futbollisti i krahut të djathtë, i cili aktualisht aktivizohet te Alanyaspor, nuk e fshehu lidhjen e fortë që ka krijuar me Turqinë gjatë viteve të fundit.

“Kam kaluar gjashtë vite në Turqi dhe mund të them se është bërë si shtëpia ime e dytë. Edhe familja ime është e lidhur me këtë vend, por në fund të ditës, ëndrra ime më e madhe mbetet të kualifikohem në Botëror me Kosovën”, deklaroi Hadërgjonaj për “A Spor”.

Ai e cilësoi ndeshjen ndaj Turqisë si një nga momentet më të rëndësishme në karrierën e tij.

“Është një ndeshje e jashtëzakonshme për ne, ndoshta ndër më të mëdhatë që kemi luajtur ndonjëherë. Arritja në finale është shpërblim për gjithë punën që kemi bërë si ekip. Tani kemi një hap të fundit përpara dhe jemi maksimalisht të përqendruar”, u shpreh ai.

Duke folur për rrugëtimin e Kosovës drejt finales, Hadërgjonaj theksoi se skuadra ka tejkaluar pritshmëritë.

“Nuk konsideroheshim favoritë në grup. Përballë kishim ekipe me përvojë si Zvicra, Suedia dhe Sllovenia. Megjithatë, ne besuam në potencialin tonë dhe treguam karakter në çdo ndeshje. Kjo finale është e merituar”, shtoi mbrojtësi kosovar.

Sa i përket kundërshtarit, ai vlerësoi lart cilësinë individuale të lojtarëve turq, duke përmendur emra si Arda Güler, Hakan Çalhanoğlu dhe Kenan Yıldız.

“Turqia ka shumë lojtarë cilësorë dhe është e vështirë të veçosh vetëm një. Por në finale gjithçka është e hapur – shanset janë 50 me 50. Ne kemi avantazhin e fushës dhe besojmë se atmosfera do të jetë në anën tonë”, theksoi ai.

Finalja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet më 31 mars në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, me fillim nga ora 20:45.

Fituesi i këtij takimi do të sigurojë një vend në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Go to TOP