Imeri: Deklaratat e Vuçiqit për Kurtin në Paris janë propagandë pa bazë

Politologu Dorajet Imeri ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vučić lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Paris duke i cilësuar ato si propagandë pa bazë dhe të destinuara për manipulim publik.

Sipas Imerit, Vuçiq vazhdon të ndjekë një strategji të njohur propagandistike duke tentuar të krijojë perceptimin se Serbia ka ndikim mbi çdo veprim të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerëson se kjo qasje synon të përçojë pasiguri te qytetarët dhe institucionet e Kosovës, ndërsa njëkohësisht përpiqet ta paraqesë Serbinë në një pozitë më të favorshme.

Imeri thekson se realiteti është i kundërt, pasi avancimi i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare përkthehet në më shumë siguri dhe stabilitet për rajonin, si dhe në forcim të vlerave demokratike dhe perëndimore.

Ai shton se retorika e presidentit serb intensifikohet sidomos në periudha sfiduese politike në Serbi duke e lidhur këtë me zhvillimet e brendshme dhe proceset zgjedhore atje. Sipas tij, propaganda mbetet një nga mjetet kryesore që përdoret për të ruajtur pushtetin dhe për të devijuar vëmendjen nga problemet e brendshme.

Në fund, Imeri thekson se Kosova nuk është më terren i këtyre narrativave dhe se qëllimet e tyre janë tashmë të qarta për opinionin publik. /Kosova.info/


Go to TOP