Dugolli: Korrigjim urgjent për të dhënat mbi masakrën në Burgun e Dubravës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvndosje, Enver Dugolli ka reaguar publikisht ndaj një ekspozite për krimet e luftës në Kosovë duke kërkuar korrigjimin urgjent të të dhënave të paraqitura për masakrën në Burgun e Dubravës, e ndodhur në maj të vitit 1999.
Sipas Dugollit, informacionet e vendosura në këtë ekspozitë janë “krejtësisht të pasakta” dhe dëmtojnë të vërtetën historike. Ai thekson se numri i viktimave është paraqitur gabim: në tabelë figurojnë 106 të vrarë, ndërsa sipas të dhënave të konfirmuara janë 116 persona të masakruar dhe një i zhdukur.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Dugolli lidhet me kategorizimin e viktimave. Në material pretendohet se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë dhe 58 civilë. Dugolli e hedh poshtë këtë pretendim duke theksuar se në këtë masakër nuk ka pasur asnjë të vrarë në cilësinë e personit të armatosur, pasi të gjithë të burgosurit kanë qenë të paarmatosur dhe të pambrojtur.
Ai ka bërë thirrje që organizatorët e ekspozitës ta tërheqin menjëherë materialin për Dubravën dhe ta korrigjojnë atë duke paralajmëruar se versioni aktual mund të përdoret për të përforcuar narrativa të rreme rreth ngjarjes.
Po ashtu, Dugolli i është drejtuar Prokuroria e Shtetit e Kosovës, përkatësisht departamentit për krime lufte duke kërkuar që të ndërmerren hetime lidhur me këtë rast.
Masakra në Burgun e Dubravës mbetet një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998–1999). /Kosova.info/
