Një dashuri e humbur dhe një dramë sociale

Izet ABDYLI

Osman Goranci “Era dhe Rroni një histori dashurie” roman, Botues “Faik Konica” Prishtinë 2025

Osman Gorancin e njihja si krijues në gjininë e dramës e komedisë. Nuk e njihja për së afërmi por vetëm virtualisht, përderisa rastisi të takohemi fundvitin që lamë pas, në Korçë në një takim mbarëkombëtar të letërsisë e humorit. Aty pata rastin të njihem më për së afërmi edhe me profilin e tij krijues edhe si gazetar, regjisor e publicist. Mbi të gjitha më la përshtypje afërsia dhe komunikimi shumë njerëzor. Aty këmbyem edhe librat tanë. Romanin e tij ,,Era dhe Rroni një histori dashurie” e kisha radhitur në mesin e librave për lexim. Muaji shkurt i këtij viti më dha mundësinë të futem në labirintin e leximit të këtij romani me plotë dramacitet, tension e narracion të përkryer. Kjo rrallëherë ka ndodhur në jetën reale që dashuritë i ndanë një fatkeqësi e çastit, por që ideali i madh shpeshherë triumfon edhe mbi të pamundurën. Megjithatë kjo nuk ndodhë me krye personazhin Era e cila përballë sfidave që i sjell verbimi nuk dorëzohet asnjëherë, ndonëse nevoja për tu përballur me vështirësitë materiale në kërkim të mjeteve për shërim dhe përkujdesje për nënën, e degdisë atë në valët e prostitucionit, meqë rast ndërdija e saj përherë do të trazohet nga kujtimet e një dashurie të humbur. Sakrifica e saj për nënën me këtë plagë të ,,turpit” do ta përcjell si hije në rrugëtimin e saj ku do të gjej edhe mbështetjen e shoqërueses së saj Jonës. Monologët e saj pranë këndit të saj në parkun e qytetit buzë lumit janë të mbushura me një kolorit ngjyrash. Aty është vendi i saj i preferuar ku ajo gjen prehjen shpirtërore duke patur në shoqëri leximin e librave me alfabetin e Brajit. Aty do kujtoj e rikujtoj momentet me të bukura të dashurisë me Rronin. Po pikërisht aty do të ritakohet me Rronin e saj të dashur, por kjo dashuri nuk arrin të përtërihet sërish siç ndodhë në fund të romanit. Edhe Rroni pas lajmit fatkeq nga e ëma e Erës për humbjen e bijës (ndonëse nuk ishte i vërtetë), i zhgënjyer tejmase mundohet të gjej ngushëllim në gotën e rakisë dhe vrapin pas femrave të bukura, që asnjëherë nuk do ta kompensojnë dashurinë e humbur, ndaj një ditë vendos ta braktis këtë rrugë të gabuar. Takimi i papritur me Erën dhe pohimi i sinqertë nga goja e saj se në rrugëtimin e saj kishte zgjedhur profesionin e prostitutës do ti rëndoj si gur sizifi Rronit dhe do të bëj të pamundur ribashkimin e tyre. Vetë gjetja tematike, mënyra e shtjellimit te romanit, dramaciteti, leksiku i pasur gjuhësor e shumë elemente tjera, mund të nxjerr konstatimin se është ndër romanet me të mira botuar viteve të fundit. Përdorimi i sentencave filozofike gjatë dialogëve, pastaj perlat poetike te poetëve si: Boidler, Sartri, Bajron etj. dëshmojnë për kulturën e lartë të autorit në fushën e artit dhe letërsisë. E them jo për t’ i bërë qejfin autorit por ky është vlerësim im për aq sa kam kapacitet të njoh strukturën e romanit, narracionin dhe mesazhin që përçon te lexuesi.


Go to TOP