Presidenca: Kushtetuesja i jep të drejtë Osmanit, s’ka shkelje, përgjegjësia bie mbi Kuvendin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës për rastet KO 72/26 dhe KO 74/26 duke theksuar se vendimi konfirmon plotësisht argumentet juridike të Presidencës dhe se nuk ka pasur asnjë shkelje kushtetuese nga ana e saj.

Sipas Presidencës, Gjykata ka vërtetuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të përcaktuar në nenin 86.2 të Kushtetutës duke e cilësuar këtë të fundit si përfundimtar dhe detyrues.

Në aktgjykim, Gjykata nuk ka konstatuar asnjë shkelje nga Presidentja, por ka sqaruar se nuk është dekreti që çon vendin në zgjedhje të reja, por dështimi i Kuvendi i Kosovës për të zgjedhur Presidentin e ri.

Presidenca ka theksuar se dekreti është vetëm formalizim i një situate të krijuar dhe se përgjegjësia për zhvillimet e mëtejshme bie mbi deputetët, për shkak të mungesës së konsensusit politik.

Gjykata ka interpretuar gjithashtu një rrethanë përjashtuese për këtë rast specifik duke sqaruar se në të ardhmen procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë dhe të përfundojë brenda afateve kushtetuese, përkatësisht jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual.

Presidentja Osmani ka mirëpritur edhe afatin shtesë prej 34 ditësh të dhënë nga Gjykata për deputetët dhe u ka bërë thirrje atyre që urgjentisht të përmbushin detyrimin kushtetues duke caktuar sa më parë seancën për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe duke i dhënë vendit stabilitet institucional. /Kosova.info/


Go to TOP