Krusha e Madhe përkujton dëshmorët me dhurim gjaku dhe fidanë

Pavarësisht se vitet kalojnë, muaji mars mbetet i rëndë për banorët e Krushës së Madhe të Rahovecit. Atë pranverë të hershme, 27 vjet më parë, serbët vranë e masakruan 241 banorë të fshatit dhe shumë mysafirë që ishin strehuar aty.

Edhe më tej, në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve janë 64 varre në pritje për një emër dhe një epitaf.

Plagët e luftës janë të vështira për t’u mbyllur në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël e shumë fshatra të tjerë të rajonit të Prizrenit.

Megjithatë, banorët e Krushës së Madhe dhe të fshatrave të tjerë të kësaj komune gjejnë kurajo të dhurojnë akoma shumë për jetën. Një numër i madh i tyre, në shenjë nderimi për të rënët, kanë dhuruar gjak.

Pos dhurimit të gjakut, banorët e kësaj ane tradicionalisht, me 25 mars, një ditë para ditës së kobshme të masakrës, mbjellin lule dhe pemë, nën moton: “Një fidan, një kujtim.” 


Go to TOP