Modern Talking vijnë për herë të parë në Kosovë, në Hardh Fest 2026

Një nga festivalet më të njohura dhe më të frekuentuara në Kosovë, Hardh Fest, rikthehet me edicionin e radhës më 4, 5 dhe 6 shtator 2026 në Rahovec.

Këtë vit, festivali sjell për herë të parë në Kosovë një nga emrat më legjendarë të muzikës ndërkombëtare, Modern Talking, me Thomas Anders & Band, të cilët do të performojnë live në kuadër të programit kryesor artistik. Publiku do të ketë mundësinë të përjetojë nga afër hitet që kanë shënuar histori dhe kanë shoqëruar breza të tërë, si “Cheri, Cheri Lady”, “You’re My Heart, You’re My Soul”, “Brother Louie” dhe shumë të tjera.

Hardh Fest ndër vite është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe turistike në vend, duke tërhequr çdo vit shumë vizitorë nga Kosova, rajoni dhe bota. Përmes një programi të pasur që ndërthur muzikën, trashëgimin kulturore dhe gastronominë, festivali kontribuon drejtpërdrejt në promovimin e Rahovecit si qendër e verës dhe mikpritjes.

Në të njëjtën kohë, festivali luan një rol të rëndësishëm në promovimin e agroturizmit, duke i dhënë hapësirë prodhuesve vendorë të verës dhe produkteve bujqësore, si dhe duke krijuar një platformë ku tradita dhe bashkëkohorja bashkohen në një përvojë unike për vizitorët.

Hardh Fest 2026 pritet të ofrojë një edicion të veçantë, duke kombinuar emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare me identitetin lokal, përvojën kulturore dhe mikpritjen karakteristike të Rahovecit.

Hardh Fest 2026 me sloganin “Per kokërr t’qefit” mbahet nën patronatin e Kryetarit të komunës së Rahovecit, z.Smajl Latifi, me përkrahjen e Minsitrisë së Kulturës e Turizmit të Kosovës dhe sponsorëve. /Kosova.info/

Go to TOP