Qeveria e Maqedonisë së Veriut ul TVSH-në për derivatet nga 18 në 10%

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë një vendim të ri në një seancë të jashtëzakonshme, duke ulur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për derivatet e naftës nga 18% në 10%.

Sipas vendimit, çmimet e benzinës nuk pritet të ndryshojnë, ndërsa çmimi i naftës pritet të rritet për rreth tre denarë. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi arsyet e kësaj rritjeje, por ajo vjen në një kohë të luhatjeve të vazhdueshme në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Vendimi do të hyjë në fuqi nga mesnata e së hënës dhe do të jetë i vlefshëm për një periudhë prej dy javësh.

Qeveria theksoi se kjo masë është ndërmarrë me qëllim stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e mëtejshme të çmimeve.

“Me këtë masë presim që çmimi i benzinës të mbetet pothuajse i pandryshuar, ndërsa dizeli të shtrenjtohet për rreth 3 deri në 3,5 denarë për litër, në vend se për më shumë se 10 denarë”, ka deklaruar kryeministri Mickoski.


Go to TOP