Arifi akuzon Kurtin për “tradhti ndaj Luginës”: Nga reciprociteti te “tung Lugina”
Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke e akuzuar për, siç ka thënë, “tradhti ndaj Luginës së Preshevës”.
Përmes një reagimi publik, Arifi ka kritikuar qëndrimet e Kurtit ndër vite duke theksuar se ai ka ndryshuar qëndrime lidhur me çështjen e Luginës dhe parimin e reciprocitetit.
“Reciprociteti, reciprociteti… tap karriga, tung Lugina”, është shprehur Arifi duke ironizuar qasjen e Kurtit në raport me dialogun dhe përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të Luginës.
Ai tutje ka deklaruar se Kurti “nuk është më as ‘skifter’ në Prishtinë” duke shtuar se në Bruksel, sipas tij, ka treguar qëndrim të dobët. Arifi ka rikujtuar edhe vitin 2019, kur, sipas tij, Kurti kishte kundërshtuar idenë e bashkëngjitjes së Luginës me Kosovën.
Arifi ka theksuar se që nga viti 2021 e ka konsideruar Kurtin si “tradhtar kombëtar” duke shtuar se përqindja e mbështetjes elektorale nuk e ndryshon këtë vlerësim të tij.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur çështja e Luginës së Preshevës dhe dialogu me Serbinë vazhdojnë të jenë tema të ndjeshme në skenën politike shqiptare. /Kosova.info/
