Analistët: Ligji për të huajt legjitimon dokumentet nga Serbia

Nisja e zbatimit nga dje të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet ka shkaktuar paqartësi dhe polemika në opinionin publik për disa dimensione të shtrirjes së tij në praktikë.

Ky ligj do të obligojë institucionet e Kosovës të njohin dokumentacionet e lëshuara nga Serbia, pavarësisht që as njëra as tjetra nuk njohin shtetësitë e ndërsjella. Në këtë rast, Kosova do të obligohet të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës, dhe rrjedhimisht t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe.

Ligji për automjetet parashikon që shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë territorit dhe që posedojnë një veturë që është e regjistruar në shtetin e huaj, kanë drejtë të qarkullojnë në Kosovë deri në tre muaj. Pas kësaj periudhe, ata duhet të pajisen me autorizime.

Sonte në RTK Prime analistët kanë dhënë perspektiva të ndryshme për ligjin i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2013, por që zbatimi i së cilit nisi pas takimit që pati kryeministri Albin Kurti me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Gashi: Me këtë ligj, Kosova legjitimon lëshimin e dokumenteve nga Serbia

 “Zbatimi i ligjit fillon në një periudhë tepër specifike. Serbia është në vit zgjedhor, Kosova është në ngërç të funksionimit normal shtetëror. Të gjitha problemet që do të duhej të ishin çështje të ekspertëve dhe pjesës së legjislacionit kalojnë në komente politike. Është politizuar për një arsye, në këtë ligj përfitojnë edhe qytetarët e komunitetit serb që s’kanë shtetësi të Kosovës, por janë të regjistruar në databazën e strukturave paralele që kanë funksionuar në komunat e Kosovës. Këtu është problemi kyç, për faktin se Kosova legjitimon lëshimin e këtyre dokumenteve, ato janë lëshuar me vulë e preambulë dhe Serbia s’njeh shtetësinë e Kosovës…Kryeministri tha në paralajmërim se do të pranohen edhe dokumentacionet nga strukturat paralele”, tha Bejtush Gashi, ish-ministër i Punëve të Brendshme.

Burjani e quan selektiv Ligjin për të huajt

Analisti Burim Burjani ka thënë se nuk është dashur të fuqizohej një ligj që sipas tij, është selektiv në veprimin e tij. Ai tha se në pikëpamjen e tij do të duhej të bëhej një marrëveshje mirëkuptimi me BE si garantues i këtyre të drejtave kalimtare brenda një viti.

“BE dhe SHBA këtë temë e trajtojnë në mënyrë shumë specifike, duke u mbështetur në Protokollin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave; Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut; e drejta afirmative dhe çdo gjë e shohin si problem politik. Ata nisen nga de-eskalimi”, tha Burjani.

Selimi thotë se ky ligj do të dëmtojë shqiptarët e Luginës së Preshevës

Alban Selimi, gazetar i RTK-së ka thënë se nga ky ligj do të preken edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke dhënë shembuj të ndryshëm nga praktika  me të cilën do të përballen. Ai tha se të njëjtit sipas tij, janë qytetarët më të diskriminuar në Evropë.

“Qytetarët që kanë jetuar në Kosovë dhe kanë pasur vetura në emrin e tyre, i kanë shlyer nga adresat, ata kryesisht i kanë bartur në emrat e të tjerëve me autorizime. Tash me ligjin e ri, të njëjtat vetura s’mund t’i ngasin as në Kosovë sepse ata duhet ta kenë të rregulluar statusin aty ku është e regjistruar vetura. Zgjidhja e vetme do të ishte që këtyre qytetarëve t’u mundësohej të regjistroheshin në Kosovë apo thjesht të vazhdonin diskriminimet edhe këtu”, tha Selimi.

Shqiptarëve që s’u lejohet dyshtetësia, u duhet leje qëndrim pas 90-ditëshit

Avokati Alban Arifi, njëherit ish-drejtor i Divizionit i Punëve të Brendshme në Ministri, shpjegoi se ky ligj i afekton shqiptarët të cilët jetojnë në vendet ku nuk lejohet dy shtetësia, sikurse është Gjermania apo Austria. Ata në momentin që ju kalon 90-ditëshi i qëndrimit në Kosovë, duhet të aplikojnë për leje qëndrim të përhershëm.

“Vetëm me vendimin që janë larguar nga shtetësia e RKS-së mund të pajisen me qëndrim të përhershëm”, ka thënë ai.


Go to TOP