Futbollistët nga Prishtina japin shembull humanizmi në Ramazan: Vizitë dhe ndihma për të moshuarit

Në kuadër të aktiviteteve bamirëse gjatë muajit të shenjtë të Ramadan, një grup futbolli nga Prishtina realizoi një aktivitet solidariteti në Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë.

Gjatë kësaj vizite, pjesëmarrësit patën mundësinë të kalojnë disa momente të veçanta me banorët e qendrës duke u dhuruar atyre disa nga gjërat më të nevojshme për përditshmërinë e tyre. Përveç ndihmave materiale, ata u munduan të sjellin edhe diçka shumë më të çmuar: vëmendje, ngrohtësi dhe respekt për njerëzit e moshuar.

Ky aktivitet humanitar u bë i mundur falë kontributit të mbi 60 anëtarëve të grupit të futbollit, një komunitet i përbërë nga myslimanë dhe të krishterë, të bashkuar nga një vlerë e përbashkët, humanizmi dhe solidariteti.

Organizatorët theksuan se mesazhi i këtij aktiviteti është i qartë: bamirësia nuk ka fe dhe nuk njeh dallime, ajo është shprehja më e pastër e dashurisë dhe respektit për njeriun.

Në një kohë kur solidariteti dhe kujdesi për njëri-tjetrin janë më të rëndësishëm se kurrë, ky gjest i grupit të futbollit u vlerësua si një shembull i bukur i bashkimit dhe humanizmit në shoqëri. /Kosova.info/

Go to TOP