Hargreaves rreth zbatimit të Ligjit për të Huajt: U bë zgjidhje praktike
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se marrëveshja e arritur në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të Huajt e respekton kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.
“Mbretëria e Bashkuar mirëpret marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe BE-së mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, duke ofruar zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë pa ndërprerje të shërbimeve”, ka shkruar Hargreaves në Facebook.
Ambasadori britanik e ka përgëzuar kryeministrin Albin Kurti për këtë angazhim.
“Ne mirëpresim angazhimin e Kryeministrit Kurti për të zbatuar ligjin dhe planet e tjera të ardhshme që ndikojnë në komunitetin serb të Kosovës në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”, ka shkruar tutje ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën pas takimit me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka njoftuar se qeveria do të pajiset me listat e stafit akademik dhe shëndetësor për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit 12-mujor për pjesëtarët e komunitetit serb, ndërsa e njëjta procedurë do të vlejë edhe për studentët e huaj. /Kosova.info/
