Kuvendi i Shqipërisë nesër shpall Iranin shtet terrorist
Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë në ditët në vijim një draft-rezolutë që parashikon shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe si një vend që përdor metoda terroriste në politikën e tij të jashtme.
Dokumenti, i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, argumenton se vendimi mbështetet në raportime dhe të dhëna ndërkombëtare që lidhen me mbështetjen e Iranit ndaj organizatave të armatosura jo-shtetërore, të cilat në disa rajone të botës janë klasifikuar si organizata terroriste. Në draft-rezolutë përmenden gjithashtu aktivitetet destabilizuese të Teheranit në Lindjen e Mesme.
Një tjetër arsye e përfshirë në dokument lidhet me sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare. Shqipëria është përballur në disa raste me ndërhyrje në infrastrukturën e saj digjitale, përfshirë sulmin e madh kibernetik të vitit 2022 ndaj sistemeve qeveritare, i cili sipas autoriteteve shqiptare u krye nga struktura të lidhura me Iranin.
Së fundmi, në draft përmendet edhe një përpjekje e re për sulm ndaj sistemeve të Kuvendit, e realizuar nga një grup hakerësh që identifikohet me emrin “Homeland Justice”, i cili dyshohet të ketë lidhje me strukturat iraniane.
Rezoluta dënon gjithashtu veprimtarinë e Gardës Revolucionare Islamike dhe strukturave të lidhura me të, për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave të armatosura dhe operacioneve destabilizuese në rajone të ndryshme të botës. Dokumenti i bën thirrje qeverisë shqiptare që ta shpallë këtë organizatë si entitet terrorist.
Po ashtu, drafti propozon që edhe Hezbollah të konsiderohet organizatë terroriste dhe një strukturë e mbështetur nga Irani.
Nëse miratohet, Shqipëria do t’i bashkohet disa vendeve të tjera që kanë ndërmarrë masa të ngjashme, mes tyre Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Holanda.
