Sadiku: Ikja nuk është tradhti – Kosova duhet të krijojë gravitet për kthimin e rinisë
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reflektuar publikisht mbi përvojën e tij të largimit nga Kosova në vitin 2007 duke theksuar se për shumë të rinj, sidomos në fushën e inxhinierisë, emigrimi nuk ishte ambicie, por domosdoshmëri.
Ai kujton se në atë kohë sistemi arsimor ndihej i mangët, ndërsa mundësitë profesionale ishin të kufizuara, me pak hapësirë për zhvillim real në sektorin publik dhe privat. “Kur ëndrrat janë më të mëdha se realiteti që të rrethon, largimi nga Kosova nuk ishte thjesht ambicie, ishte e vetmja rrugë”, shprehet Sadiku.
Sipas tij, çdo inxhinier i ri synon të përjetojë auditorët e universiteteve evropiane dhe përvojën brenda gjigantëve teknologjikë si IBM, Microsoft apo Intel. Për këtë arsye, ai e konsideron hipokrizi ta quash largimin “problem” apo “tradhti”.
Sadiku thekson se një shtet modern nuk duhet ta mbajë rininë peng, por të krijojë një “gravitet” që i tërheq të rinjtë të kthehen. Ky gravitet, sipas tij, ndërtohet mbi meritokraci, konkurrencë të ndershme, institucione funksionale dhe sisteme digjitale që eliminojnë korrupsionin.
Ai bën thirrje që të hiqet dorë nga patriotizmi i thatë dhe presioni emocional ndaj të rinjve duke theksuar se brezi i ri është racional dhe llogarit çdo mundësi me kujdes. Në fund, deputeti i LDK-së kërkon që vëmendja të rikthehet te të rinjtë që zgjedhin të ndërtojnë dhe të investojnë në Kosovë duke i quajtur ata “heronjtë e vërtetë” të zhvillimit të vendit. /Kosova.info/
