Bajrami vetëofrohet për president, ju shkruan letër liderëve: Jam njëri prej kandidatëve konsensual
Akademik Arsim Bajrami ka kërkuar nga liderët e partive politike që ta zgjedhin për president.
Përmes një letre drejtuar katër liderëve politikë, ai ka kërkuar nga Kurti, Hamza, Abdixhiku dhe Haradinaj që ta votojnë për president.
Ndër të tjera, në letër ai ka shkruar se i plotëson kushtet e një kandidati konsensual.
“Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, vlerësoj lartë qëndrimin dinjitoz, parimor dhe shtetformues të kolegut dhe mikut tim të fakultetit,Prof.dr.Murat Jashari dhe të familjes Jashari, të cilët, në frymën e përgjegjësisë kombëtare dhe respektit për sakrificën historike të familjes heroike dëshmuan edhe njëherë vigjilencen e lartë kombëtare”, ka shkruar Bajrami.
