Gërvalla: Zero tolerancë ndaj korrupsionit, SHBA partner kyç në forcimin e sundimit të ligjit

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka theksuar se sundimi i ligjit duhet të shtrihet në çdo qelizë të shtetit duke përsëritur qëndrimin për zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe asnjë kompromis me integritetin e drejtësisë.

Këto deklarata ajo i bëri pas takimit me të Ngarkuarën me Punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Republika e Kosovës, znj. Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për thellimin e bashkëpunimit në prioritetet kyçe të sektorit të drejtësisë.

Sipas Gërvallës, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë dhe funksionalizimi i plotë i Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme janë masa thelbësore për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Ajo theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet vijë e prerë e mandatit të saj, ndërsa në takim është diskutuar edhe për forcimin e kapaciteteve kundër krimit kibernetik dhe rritjen e sigurisë kibernetike.

“Krimi kibernetik është fushë e re ku zbatohet sundimi i ligjit dhe mbrohet siguria kombëtare”, ka theksuar ministrja duke nënvizuar rëndësinë e investimeve në këtë drejtim.

Në fund, Gërvalla vlerësoi partneritetin me SHBA-në si të domosdoshëm në çdo fazë të reformave duke theksuar se shteti i së drejtës ndërtohet me vendosmëri të brendshme dhe me mbështetje strategjike nga shtetet mike.

Ajo përmbylli se Kosovës i duhet një drejtësi funksionale, pa kompromis dhe pa cenim të integritetit. /Kosova.info/


Go to TOP