Lladrovci: “Bordi i Paqes” është shteg për diplomacinë e Kosovës, Edi Rama u tregua strategjik dhe i qartë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me themelimin e “Bordit të Paqes” nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ku sipas tij, pjesë është edhe Kosova.

Përmes një deklarimi publik, Lladrovci e ka cilësuar këtë mekanizëm si një mundësi të rëndësishme për daljen e diplomacisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare. Sipas tij, ky është një shteg i ri që, ndonëse nuk është i lehtë dhe pa garanci të përjetshme, paraqet një hap strategjik për vendin.

“‘Bordi i Paqes’, i themeluar nga Presidenti Trump, ku bën pjesë edhe Kosova, është shteg për daljen e diplomacisë tonë në skenën ndërkombëtare. Ky shteg nuk është as i lehtë e as me garanci të përjetshme, kur dihet se po kundërshtohet nga evropianët dhe shtetet që pretendojnë për rregull që del nga OKB. Ku është Amerika, ne nuk kemi nevojë të kemi frikë të jemi aty edhe ne, kaq e thjeshtë”, ka deklaruar ai.

Në të njëjtin reagim, Lladrovci ka komentuar edhe diskutimin në këtë forum duke vlerësuar lart paraqitjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka thënë se Rama dëshmoi edhe një herë dimensionin e tij strategjik në raport me zhvillimet aktuale politike.

Sipas Lladrovcit, Rama ishte “i saktë, i qartë dhe shkatërrues për prapaskenat e qëllimeve të Gjykatës së Hagës” duke lënë të kuptohet se qëndrimet e tij ishin të drejtpërdrejta dhe në mbrojtje të interesave kombëtare.

“Edi është i duhur për situatat që po kalojmë si komb, respekt!”, ka përfunduar Lladrovci.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë debatesh të shumta rreth rolit të diplomacisë ndërkombëtare dhe proceseve gjyqësore që lidhen me zhvillimet politike në rajon. /Kosova.info/


Go to TOP