Abdixhiku uron besimtarët myslimanë për Ramazan: Muaj i paqes, faljes dhe solidaritetit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit duke e cilësuar këtë periudhë si kohë të pastrimit shpirtëror, përulësisë dhe rikthimit te vlerat më të larta njerëzore.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku uroi që ky muaj të jetë i mbushur me paqe në zemër, shëndet në familje dhe begati në çdo shtëpi.
“Muaji i Ramazanit është kohë e pastrimit të shpirtit, e përulësisë para Zotit dhe e rikthimit te vlerat më të larta njerëzore. Është muaji i durimit, i faljes dhe i mëshirës hyjnore; muaji në të cilin njeriu e forcon lidhjen e tij me Krijuesin përmes agjërimit, lutjes dhe bamirësisë”, thuhet në urimin e tij.
Ai theksoi se këto ditë të bekuara duhet të shërbejnë si udhërrëfyes drejt paqes së brendshme, dashurisë për njëri-tjetrin dhe solidaritetit me ata që kanë nevojë.
“Le të jetë ky muaj një kujtesë e përditshme se forca jonë si shoqëri buron nga mirësia, ndarja dhe përgjegjësia për të mirën e përbashkët. Zoti ua pranoftë agjërimin dhe lutjet!”, përfundon mesazhi i Abdixhikut. /Kosova.info/
